Lajme

Sulmi rus me dronë shkakton viktima dhe dëme në Odesa

11/09/2024 14:01
nga:Y I

Dronët rusë e sulmuan gjatë natës qytetit port të Ukrainës, Odesa, duke e vrarë një person dhe duke i plagosur 13 të tjerë, tha të shtunën guvernatori rajonal, Oleh Kiper.

Disa ndërtesa banimi, shtëpi, ndërtesa komerciale dhe dhjetëra vetura private u dëmtuan nga ky sulm rus me dronë, i cili ishte i dyti radhazi në dy ditët e fundit në Odesa, tha Kiper.

“Armiku i sulmoi përsëri me dronë Odesën dhe rajonin afër gjatë kësja nate. Një person u vra dhe 13 të tjerë u plagosën. Në mesin e të plagosurve janë dy fëmijë”, tha ai në Telegram.

Prokurorët thanë se fëmijët e plagosur janë djem të moshës 4 dhe 16 vjeçe, përkatësisht.

Rusia sulmoi me 51 dronë, duke e përqendruar sulmin e saj në Odesa dhe rajonin përreth në jug të Ukrainës, tha forca ajrore ukrainase, duke shtuar se njësitet ukrainase të mbrojtjes ajrore i rrëzuan 32 dronë rusë.

Dronët rusë gjithashtu shkaktuan zjarr të madh në një nga distriktet e Odesës, raportoi transmetuesi publik Suspilne, duke cituar banorët.

Media të tjera në qytet postuan pamje që shfaqin makina dhe ndërtesa në zjarr dhe tym të dendur që ngrihej drejt qiellit.

Forcat e Moskës i kanë intensifikuar sulmet ajrore ndaj qyteteve dhe fshatrave ukrainase, duke dërguar turma dronësh pothuajse çdo natë.

Ushtria e Ukrainës tha se Rusia lëshoi më shumë se 2.000 dronë sulmues ndaj objektivave civile dhe ushtarake në tetor.

Moska thotë se nuk i sulmon civilët. Por, Misioni Vëzhgues për të Drejtat e Njeriut i OKB-së në Ukrainë i ka verifikuar 11.743 civilë të vdekur nga dhuna e lidhur me konfliktin prej se nisi pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022 deri në fund të gushtit të këtij viti.

Qeveria ukrainase thotë se numri i të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë për shkak të vështirësive për të arritur në disa pjesë të vendit.