Lajme

Sulmi në Banjskë, Radev: Shprehim shqetësimin tonë, politika e BE-së të jetë objektive

12/22/2023 12:29
nga:N K

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka shprehur shqetësimin e tyre për situatën në veri të Kosovës dhe ka thënë se përjashtojnë kategorikisht provokimet e armatosura dhe dhunën. Radev ka deklaruar se politika e Bashkimit Evropian (BE) duhet të jetë transparente dhe objektive.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, në konferencën për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani ka diskutuar dhe për situatën në veri të vendit dhe sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Radev ka thënë se shprehin shqetësim për situatën në veri dhe ka kërkuar që t’i pranohet keqardhja e tyre për vrasjen e heroit, Afrim Bunjaku.

“Ne kategorikisht përjashtojmë provokimet e armatosura dhe dhunën. Ne shprehim edhe shqetësim për situatën në veri të Kosovës. Pranoni keqardhjen tonë për faktin se një polic i Kosovës humbi jetën gjatë ngjarjeve të 24 shtatorit në BE”, ka thënë presidenti i Bullgarisë.

Ai ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të ketë një rol aktiv në dialogun intensiv dhe se politika e saj duhet të jetë objektive.

“Gjithashtu ne ngulim këmbë që BE-ja të ketë një rol aktiv në dialogun intensiv për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshe për të gjithë që garantojnë sigurinë dhe stabilitetin. Politika e BE-së duhet të jetë transparente dhe objektive”, ka thënë tutje presidenti bullgar.

Radev është shprehur se dialogu dhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara është e ardhmja e vetme në rajonin tonë.

“Sa i përket Bullgarisë, ne vazhdojmë të ngulim këmbë për dialogun si mënyrën e vetme për zgjedhjen e problemeve dhe paralelisht zbatimin e gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri tani. Mendoj se kjo është e vetmja rrugë dhe e ardhmja e vetme e regjionit tonë”, ka shtuar Radev.