Dje njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok, është sulmuar me armë zjarri.
Kjo ka ndodhur derisa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit.
Sipas policisë, kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri, ku ato kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar.
Kjo nuk është hera e parë që policia e Kosovës sulmohet në veri.
Lidhur me këto sulme dhe rrezikun për policinë e Kosovës në atë pjesë, e luftimin e krimit dhe kontrabandës në veri, për Gazeta Blic, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se tensionet në atë pjesë erdhën pas masës së reciprocitetit.

“Situata e paraqitur para dhe me theks të veçantë pas pezullimit për masën e reciprocitetit pati tensione të ardhura nga grupet kriminale serbe dhe të mbështetur nga Beogradi zyrtar në drejtim të forcave të rendit të Kosovës”, thotë ai.
Sipas tij, organet e sigurisë duhet të marrin dritën jeshile për të vepruar dhe të kthejnë ligjshmërinë edhe në veri të vendit.
“Patëm sulme të njëpasnjëshme ku për fat të mirë nuk patëm personel të lënduar por faktin që po kemi në mënyrë sistematike sulme kundër rendit dhe ligjit, organet e sigurisë duhet që të marrin dritën jeshile nga niveli politik për të vepruar. Dhe rikthyer ligjshmërinë në çdo pjesë të territorit të saj, duke përfshirë edhe tri komunat në veri të vendit”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/


