Sporti

Sulmi, demantimi, konfirmimi, intervistimi dhe arrestimi i Agim Ademit, gjithçka që ndodhi dje në FFK!

03/17/2022 11:26
nga:L J

Dita e djeshme ka qenë shumë e “nxehtë” për futbollin kosovar, pasi kishte shumë zhvillime të papritura e pazakonta.

Fillimisht, në orën 11:00, ashtu siç kishte paralajmëruar, Gramoz Vokrri paraqiti në FFK 16 nënshkrimet me të cilat edhe shpalli zyrtarisht kandidaturën për të parin e institucionit më të lartë të futbollit kosovar.

Tri orë pas kandidimit të Vokrrit, GazetaBlic Sport ekskluzivisht raportoi për një gjë shumë të pazakontë, që ishte sulmi fizik që kryetari aktual i FFK’së, Agim Ademi e bëri ndaj Artan Govorit, drejtorit për marrëdhënie me jashtë.

Ky lajm mori jehonë të madhe dhe më pas u publikua edhe në pothuajse të gjitha mediumet vendore, me ç’rast zgjoi ndikim mjaft të madh tek opinioni sportiv.

Ky raportim për sulm u bë dje në orën 14:06, teksa disa orë më pas erdhi edhe demantimi nga Agim Ademi dhe Federata e Futbollit të Kosovës.

LAJMI I FUNDIT/ Agim Ademi sulmon fizikisht zyrtarin e FFK’së

Në orën 15:42, kryetari aktual i FFK’së, Agim Ademi në llogarinë e tij zyrtare në Faceboook tha se nuk kishte pasur sulm e as prekje me dorë, por vetëm debat në natyra të punës.

“Nuk është aspak e vërtetë ajo që po aludohet për ekses dhe për asnjë prekje fizike, thjesht ishte një debat për punët e përditshme në federatë. Për këtë ka dëshmitarë brenda federatës”, shkroi Ademi ndër të tjerash.

Por, Agim Ademi u demantua nga Artan Govori në orën 17:48, kur RTV Dukagjini publikoi prononcimin me të, teksa ai thotë: “Më ka kapur për fyti”, ndërsa shtoi se rastin u paraqiti në Polici, pasi nuk mundi më të duronte presionin nga Ademi në vendin e tij të punës.

Govori deklarohet për sulmin e Agim Ademit ndaj tij: Më kapi për fyti!

Në orën 21:18, GazetaBlic Sport raporoi në lidhje me intervistimin e Agim Ademit nga Policia e Kosovës pas sulmit ndaj Artan Govorit.

“A.A është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit pasi që ai është denoncuar për një sulm ndaj një punonjësi të FFK’së”, kishin konfirmuar burime brenda Policisë.

E në fund ndodhi edhe arrestimi i Agim Ademit nga Policia e Kosovës. Mediumi Paparaci, mbëmë në orën 22:42 publikoi lajmin për arrestimin e të parit të futbollit vendor.

Ndërkohë, sot, zëdhënësja e Policisë së Kosovës ka konfirmuar arrestimin e të dyshuarit për shkak të sulmit – teksa ai do të mbahet në ndalim për 48 orë.

Njoftimi i Policisë:

“Me datën 16.03.2022 rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një rast sulmi, i cili ka ndodhë në zyrat e FFK-së. Lidhur me këtë rast aktualisht në stacion policor është duke u intervistuar pala ankuese. Për detaje njoftoheni me kohë.

Informatë shtesë:

“Lidhur me këtë rast janë intervistuar disa persona, njëri nga ta në cilësinë e personit të dyshuar”.

“Në koordinim me prokurorin e shtetit, rasti është iniciuar sulm dhe personi i dyshuar është dërguar në mbajtje”.

/GazetaBlic Sport