Sulmet ruse me raketa dhe dronë vranë të paktën tre ukrainas, përfshirë një fëmijë, të martën, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe duke detyruar Poloninë të ngrejë avionët luftarakë.
Sulmet, që ndodhën disa ditë pas një raundi tjetër bisedimesh të udhëhequra nga SHBA për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare, goditën rëndë një objekt energjetike në rajonet perëndimore, tha kryeministrja Yulia Svyrydenko.
Polonia, anëtare e NATO-s që kufizohet me Ukrainën perëndimore, tha se avionë polakë dhe aleatë u angazhuan për të mbrojtur hapësirën ajrore polake pasi sulmet ruse shënjestruan zona pranë kufirit.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se Rusia kishte shënjestruar të paktën 13 rajone, ndërsa ukrainasit po përgatiteshin të festonin Krishtlindjet me familjet e tyre, duke shtuar se sulmi tregoi se presidenti rus Vladimir Putin nuk është serioz për bisedimet e paqes.
Putini ende nuk mund ta pranojë se duhet të ndalojë vrasjet,” shkroi Zelenskyy në X. “Dhe kjo do të thotë se bota nuk po ushtron mjaftueshëm presion mbi Rusinë. Tani është koha për të reaguar.”
Një fëmijë katërvjeçar u vra në rajonin qendror të Zhytomyr-it, një person tjetër në Khmelnytskyi në Ukrainën perëndimore dhe një i tretë në afërsi të kryeqytetit Kiev, ku autoritetet lokale thanë se të paktën pesë persona të tjerë u plagosën.
Ndërkohë, Ministria e Energjisë e Ukrainës tha se të gjitha rajonet po përjetonin ndërprerje të energjisë elektrike, duke shtuar të gjithë konsumatorët në rajonet perëndimore Rivne, Ternopil dhe Khmelnytskyi ishin pa energji të martën.
Autoritetet lokale thanë se infrastruktura dhe energjetike ishte dëmtuar në rajonet veriore Chernihiv, perëndimore Lviv dhe jugore Odesa. Kompania private energjetike DTEK tha se një nga termocentralet e saj kishte pësuar dëmtime.
Sakaq, bisedimet e paqes gjatë fundjavës në Miami mblodhën zyrtarë amerikanë me delegacione ukrainase dhe evropiane, si dhe kontakte të ndara me përfaqësues rusë, ndërsa Uashingtoni po teston mundësitë për një zgjidhje.
Rusia ka kërkuar që Ukraina t’i dorëzojë rajonin lindor të Donbasit dhe të kufizojë ndjeshëm kapacitetet e saj ushtarake përpara se të ndalë luftimet, kushte që Zelensky i ka hedhur poshtë.


