Javë më parë u hodhën akuza në drejtim të Gjykatës Kushtetuese dhe punës së saj, nga zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
E, këto u përkrahën edhe të mërkurën nga ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila në një konferencë për media, sulmoi gjykatën.
Haxhiu ka thënë se Gjykata Kushtetuese është fakt që po e pengon jetësimin e reformave, jo vetëm në Drejtësi por edhe në fushat e tjera. Ministrja ka kritikuar Kushtetuesen për vonesa në trajtimin e kërkesave, vonesa këto që Haxhiu thotë se po bëhen në kundërshtim me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.
Lidhur me këtë, profesori dhe juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se sistemi gjyqësor në vend është i pavarur dhe se sulmet nga qeveria nënkuptojnë akt të kontrollimit.
“Sistemi gjyqësor në Kosovë është i pavarur. Gjykata Kushtetuese e Kosovës është sipas Kushtetutës së vetë, e pavarur dhe niveli gjyqësor më i lartë në Republikë. Kuptohet se mendime e sugjerime mund të bëhen. Ato mund të vijnë nga anët e ndryshme. Megjithatë, nëse kalohet në sulme dhe ato bëhen nga niveli i pushtetit ekzekutiv, nga ministrat e Qeverisë, ateherë veprimi i tillë kuptohet si akt i kontrollimit të gjykatës. Qeveria kërkohet të shikojë punën ekzekutive ku e ka marrë votën”, thotë ai.
Sipas Kelmendit, gjyqësori duhet të mbetet i pavarur, derisa shton se ministria e drejtësisë duhet ta përgatisë projektligjin për Vettingun dhe në fund Kuvendi vendos.
“Sistemi gjyqësor është i pavarur dhe dëshiroj që të mbetet i pavarur. Kjo nuk domethënë se nuk ka çka të rregullohet në sistemin e drejtesisë. Ka shumë. Vettingu është armë e qëlluar që duhet të bëhet në Kosovë. Ministria e Drejtësisë e Kosovës kërkohet të përgatisë projektligjin dhe në fund vendos Kuvendi me vota të deputetëve. Me Vetting vetëm mirë i bëhet sistemit gjyqësor e prokurorial”, vlerëson profesori për Gazeta Blic.
Ai thekson se veprimet e qeverisë me akuza e kritika janë të dëmshme.
“Veprimet tjera, duke kritikuar a akuzuar, janë të dëmshme, nëse bëhen nga Qeveria. Kërkohet një veprim i matur dhe i drejtë. Gjykata Kushtetuese i përgjigjet vetëm ligjit në fuqi, përkatësisht vepron dhe vendos në bazë të Kushtetutës së Kosovës. Gjykimet kërkohen të jenë të lira, transparente dhe kushtetuese. Nëse del e kundërta, kërkohet që Kuvendi të angazhohet me ligj”, deklaron profesori Muhamet Kelmendi.
Ndërsa, juristi Blerim Burjani, duke folur për këtë temë për Gazeta Blic, thotë se VV e shkelë Kushtetutën jo rrallë dhe ato ligje dërgohen në Kushtetuese nga opozita.
“VV jo rrallë e shkelë Kushtetutën përmes ligjeve, opozita këto ligje i dërgon në Gjykatën Kushtetuese. VV ka probleme të mëdha me kapacitetet profesionale dhe me problemet e ideve rregullative në kundërshtim me ekonominë e tregut. VV po i konsideron këto vepime të opozitës si pengesë të realizimit të ideve progamore, në vend që të mendojë se si të hartohen ligjet në pajtim me Kushtetutën. VV nuk mund të sillet sikur nuk ka Kushtetutë e as rend ligjor, pra duhet të ndërtojë kapacitete profesionale”, thekson ai.
Sipas Burjanit, VV nuk mund të luftojë kundë gjykatave, pasi gjyqësori është i pavarur.
“E keqja është se Vetëvendosje nuk mund të luftojë kundër gjykatave, sistemi gjyqësor është i pavarur. Gjykata Kushtetuese aktuale dhe me përbërje gjithmonë ishte politike, e përzgjedhur me njerëz që nuk kishin ndonjë përvojë profesionale. Kjo stukturë duhet të zëvendësohet me profesionistë që njohin mirë Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut. Tash ka gjyqtarë që i kundërvihen dhe politikës zyrtare, kjo gjykatë gjykon norma ligjore ‘e shkronja të shkruara’, pra është një normë apo shumë norma kundërkushtetuese”, potencon ai për Gazeta Blic.
Ai shton se “VV mund të ketë të drejtë vetëm nëse interpretimi bëhet jo profesional ose me tentativë qëllimore me ndërhyrje politike”./Gazeta Blic/


