Sporti

Suksesi historik me Bolognan, Thiago Motta arrin marrëveshje me skuadrën e madhe italiane

05/15/2024 10:38
nga:Mergim Rreci

Në Itali nuk kanë dilema rreth së ardhmes së Thiago Mottës, trajnerit që po i mahnit të gjithë me futbollin e bukur dhe rezultativ që po prodhon Bologna e tij.

Skuadra emiliane, 7 herë kampione e Italisë, siguroi një kualifikim drithërues në Champions League për sezonin e ardhshëm.

Emri i ish-mesfushorit italo-brazilian është lidhur me klube të ndryshme, por e ardhmja e 41-vjeçarit quhet Juventus.

Bardhezinjtë do të ndahen me Allegrin në fundin e sezonit, ndërkohë që Corriere della Sera raporton se klubi ka marrëveshje me Mottën.

Ky i fundit pritet të firmosë një kontratë 2-vjeçare, me opsionin e rinovimit deri në verën e vitit 2027. Nga e cila do të përfitojë 3.5 mln euro në vit.

Palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe i kanë dhënë fjalën njëri-tjetrit, ndërkohë që pritet vetëm firma e trajnerit për të nisur aventurën në Torino.