Sporti

Suhareka vendos rekord në Superligë, Duro: Objektivi ynë është Europa, kampionati është shumë i fortë

09/24/2024 16:46
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Suharekës po shkëlqen në edicionin debutues në Superligën e Kosovës.

Pas 5 xhirove, kjo skuadër ka 4 fitore dhe një barazim, duke kryesuar renditjen tabelare me 13 pikë të arkëtuara.

Ky bilanc i arritur është më i miri i të gjitha kohërave i regjistruar nga një skuadër që inkuadrohet nga Liga e Parë në nivelin elitar të futbollit kosovar.

Natyrisht, i lumtur me startin fantastik është trajneri dhe ideatori i kësaj skuadre, trajneri Shpëtim Duro.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Duro tha se fillimi është shumë i mirë, por që kampionati është shumë i gjatë.

Sigurisht që deri më tani jemi në rregull sa i përket rezultateve dhe pikëve të arkëtuara. Duhet pasur parasysh që ne jemi një skuadër e re, si në traditë dhe ashtu në organikë. Fillimi është i mirë, por kampionati është i gjatë. Shpresojmë që ta mbajmë këtë ritëm”, tha fillimisht ai.

Tutje, trajneri shqiptar u pyet se cili është objektivi kryesor dhe se a ka pretendime për të shkruar histori dhe të kurorëzohet me titullin kampion në edicionin debutues.

Duhet të jemi realistë dhe ta themi se kampionati këtë sezon në Kosovës është shumë i fortë. Investimet janë të mëdha tek Ballkani, Drita, Gjilani, Llapi, Prishtina, gjithashtu edhe tek skuadrat që janë poshtë në rëndije nuk mungojnë investimet në organikë. Do të shohim se si do të rrjedhin gjërat, por që objektivi ynë kryesor është kualifikimi në Euopë“, përfundoi Duro.

/GazetaBlic Sport/