Lajme

“Subvencioni i energjisë u bë për të evituar mllefosjen e qytetarëve”

03/23/2023 18:43
nga:G C

Liron Gjocaj nga instituti INDEP vlerëson se subvencionimi i energjisë nga ana e Qeverisë është një lehtësim për qytetarët.

Mirëpo sipas tij, kjo masë është kohëshkurtër dhe për të mos pasur mllefosje nga konsumatorët.

“Është një lehtësim për qytetarët normalisht. Për shkak se ajo pjesa e ngritjes së faturës, të subvencionohet nga ana e Qeverisë. Mirëpo është masë shumë kohëshkurtër dhe masë e cila nuk pretendon të ulur nivelin e konsumit të enrgjisë për të ardhmen. Është vetëm një masë për të arritur një paqe sociale të konsumatori dhe të mos ketë mllefosje nga ana e konsumatorit për ngritjen e çmimit të energjisë”, deklaroi ai në Tëvë 1.

Gjocaj vlerëson se Qeveria duhet të sqarojë pse ka vazhduar masat emergjente.

“Pikë së pari duhet ta jep një sqarim vetë Qeveria e Kosovës, për shkak se masat emergjente që i ka aprovuar diku rreth 8-9 herë me radhë, kanë qenë vetë legjitimitet i reduktimit të energjisë elektrike. Për shkak se me ata masa nuk është se kemi përfituar shumë në aspektin e uljes së konsumit për shkak se e kemi parë që kemi pasë konsum më të vogël të energjisë, për shkak se temperaturat kanë qenë më të ngrohta. Mirëpo në ato ditë kur temperaturat thuajse arriten -5, -6, -7 gradë, e pamë që konsumi përsëri u ngrit. Përsëri qytetarët shfrytëzuan energjinë elektrike për ngrohje të ambienteve të tyre. Ndoshta vetë Qeveria duhet të sqarojë pse ka vazhduar masat emergjente, për shkak se këto masa kanë qenë nëse veç analizohen mirë vetëm për legjitimitet të reduktimit”, shtoi ai.

Sot Bordi i ZRRE-së ka miratuar tarifat e reja për KESCO të cilat rrisin tarifat e energjisë elektrike. Me këto tarifa nga 1 prilli çmimi i energjisë do të rritet për 14 për qind.

Rritja e çmimit të rrymës është kundërshtuar nga opozita, ndërsa Qeveria e Kosovës ka ndarë në mbledhjen e kaluar mjete për vazhdimin e subvencionimit të faturave të energjisë.