Kupa e Botës 2022

Suarez nuk pendohet për 2010-tën: Ishte lojtari i Ganës që gaboi penalltinë!

12/01/2022 17:06
nga:Mergim Rreci

Gana luan ndeshjen e fundit të Grupit H ndaj Uruguait. Kombëtarja afrikane niset e favorizuar duke qenë se me tre pikë të grumbulluara luan për dy rezultate pasi edhe barazimi do t’i mjaftonte për të prekur fazën e 1/8-tave. Nga ana tjetër, amerikano-latinët janë me vetëm një pikë dhe ende nuk kanë shënuar golin e parë në këtë Botëror.

Një sfidë e cila ka shumë histori brenda nisur prej asaj që ndodhi në Botërorin e vitit 2010 ku Uruguai eliminoi Ganën me Luis Suarez që ndali topin me duar në vijën fatale. I pyetur për episodin e para 12 viteve, Suarez theksoi se nuk ka asnjë arsye për të kërkuar falje pasi Gana e pati mundësinë për të shënuar nga penalltia, por gaboi.

“Nuk ka asnjë arsye për të kërkuar falje, unë preka topin me dorë dhe u ndëshkova. Por, ishte lojtari ganez ai që gaboi penalltinë dhe jo unë. Ndoshta mund të kërkoja falje nëse do të dëmtoja një futbollist. Unë u ndëshkova me të kuq, arbitri akordoi penallti. Unë nuk kisha më asnjë faj”, u shpreh Suarez.