Lajme

Stuhi të forta në Itali, regjistrohet një viktimë

10/26/2021 12:08
nga:M K

Një i vdekur, rrëshqitje dheu, rrugë dhe fusha të përmbytura. Është ky bilanci i stuhive të dhunshme që përfshinë Italinë jugore për të dytën ditë radhazi.

Trupi i një 67-vjecari u gjet në një pemishte, larg zonës ku u pa për herë të fundit, pasi automjeti i tij u përmbyt nga rrjedha e ujit në Katanja të Siçilisë. Gruaja e tij, është shpallur e humbur siç bëjnë me dije shërbimet e emergjencës.

“Sot vijuam kërkimet për personat e zhdukur. Zbuluam trupin e një burri, por ende atë të bashkëshortes së tij. Zona është gati 1 km larg nga vendi ku ata kishin lënë automjetin. Uji përmbyti rrugët dhe kjo mund t’ i ketë detyruar të braktisin makinën në panik e sipër. Ndoshta duhet të kishin qëndruar atje”, shprehet kreu i mbrojtjes civile Salvo Cocina.

Shoqata e fermerëve në Siçili tha në një deklaratë se mbi 300 milimetra shi kishte rënë pranë Katanjës në pak orë gjatë së dielës, gati sa gjysma e mesatares vjetore në ishullin në Mesdhe, raporton A2news.

Mbrojtja Civile aktivizoi nivelin maksimal të alarmit të kuq në pjesën veriore të Siçilisë dhe Kalabrisë së jugut të hënën, duke paralajmëruar për rrezik të mundshëm të jetës dhe dëmtim të pronave në këto zona. Shkollat u mbyllen në një sërë qytetesh, dhjetëra fluturime u devijuan nga zona dhe shërbimet e trageteve mes ishujve jugorë u anuluan.