Sporti

Stuhi dëbore pret Juventusin e Zhegrovën në Norvegji, por nuk ka rrezik shtyrjeje

11/25/2025 16:09
nga:Lorik J

Stuhi dëbore, erëra të forta dhe temperatura nën zero gradë presin Juventusin teksa luan sonte ndaj Bodo/Glimt – në një ndeshje të raundit të pestë të Ligës së Kampionëve.

Bianconerët do të përballen jo vetëm me kampionët norvegjezë, por edhe me klimën e ashpër të Bodo-s, që ndodhet pak në veri të Rrethit Arktik, përcjell GazetaBlic Sport.

Sfidat e motit u komentuan edhe nga Luciano Spalletti, i cili tha gjatë një konference për shtyp në prag të ndeshjes: “Do të jetë më e vështirë nga sa pritej. Ata janë mësuar të thithin këtë ajër të ftohtë, ne jo”.

Pavarësisht parashikimeve alarmante, nuk ka rrezik që ndeshja të shtyhet, megjithëse ajo midis Bodo dhe Juve (2:6) në Ligën e të Rinjve UEFA u ndërpre për 15-20 minuta.

Bora vazhdon të bjerë, por organizatorët kanë marrë masat e nevojshme për të zhvilluar ndeshjen.

/GazetaBlic Sport