Lajme

Studimi: Shqetësuese, rritja prej 74% e vdekjeve, e lidhur me nxehtësinë ekstreme

08/20/2021 16:27
nga:M K

Disa studimesh të reja kanë zbuluar një rritje “shumë shqetësuese” të numrit të vdekjeve të lidhura me klimën dhe bëjnë një pasqyrim të botës ku njerëzit luftojnë me temperatura ekstreme të rregullta.

Një nga studimet zbulon se numri i vdekjeve të shkaktuara nga temperaturat e larta u rrit me 74% në nivel global midis viteve 1980 dhe 2016. Vdekjet që lidhen me ftohjen ekstreme u rritën 31% që nga viti 1990, zbulon një raport i ri, i pari i këtij lloji, raporton CNN.

Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu-të krijuara nga emetimet e karbonit, metanit dhe gazrave të tjerë serë nga industria, transporti dhe bujqësia-kanë çuar në një “normale të re” me më shumë ditë me temperatura ekstreme të regjistruara në historie. Studimet e publikuara të enjten japin më shumë dëshmi se ekstremet e nxehta dhe të ftohta mund të jenë vdekjeprurëse.

Vdekjet dhe sëmundjet e lidhura me nxehtësinë janë të parandalueshme, sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, dhe megjithatë më shumë se 600 njerëz vetëm në SHBA vdesin nga nxehtësia ekstreme çdo vit. Këtë vit janë regjistruar qindra vdekje të lidhura me një valë historike të nxehtësisë në Perëndimin e SHBA. Deri në fund të shekullit, më shumë se gjysma e popullsisë globale parashikohet të jetë e ekspozuar ndaj nxehtësisë së rrezikshme çdo vit.

Për këtë studim të ri, studiuesit e Universitetit të Uashingtonit ekzaminuan 64.9 milionë regjistrime të vdekjeve nga nëntë vende të ndryshme dhe përcaktuan se të paktën 1.69 milionë nga ato vdekje mund t’i atribuohen temperaturave ekstreme vetëm në vitin 2019. Rreth 356,000 ishin të lidhur me nxehtësinë ekstreme dhe 1.3 milionë ishin të lidhura me temperaturat ekstreme të ftohta.

Këto janë vlerësime konservative, raportuan studiuesit në “Lancet” dhe ata numra do të vazhdojnë të rriten ndërsa bota përjetoi temperatura më ekstreme, shkruan a2news.

Këto temperatura ekstreme mund të lidhen me të paktën 17 shkaqe vdekjeje, shumica të lidhura me probleme të zemrës dhe probleme me frymëmarrjen, por këto vdekje të lidhura me temperaturën e tepërt përfshijnë gjithashtu vetëvrasje, mbytje dhe vrasje.

Studimet e mëparshme kanë treguar se ekspozimi ndaj nxehtësisë ekstreme mund të shkaktojë gjithashtu probleme të shëndetit mendor, probleme për gratë shtatzëna dhe rezultate të dobëta të lindjes. Të moshuarit, njerëzit me gjendje kronike shëndetësore dhe fëmijët janë në rrezikun më të lartë për sëmundje të lidhura me nxehtësinë.