Lajme

Studentët pastrojnë ambientet e UP-së, Azemi: Presim përkrahje për stafin e jo thyerje të grevës

03/06/2024 11:34
nga:Sh R

Disa studentë kanë zgjedhur t’i pastrojnë vetë ambientet e Universitetit të Prishtinës, pasi punëtorët teknikë janë në grevë që nga 16 shkurti për shkak të pagave të ulëta.

Në lidhje me këtë ka reaguar kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Azemi përmes një postimi në Facebook ka thënë se pret nga ta përkrahje për punëtorët teknikë e jo veprime për ta thyer grevën.

Sipas Azemit, me këto veprime nuk frikësohet askush.

“Kur disa studentë mundohen t’i zëvendësojnë grevistët e UP-së duke bërë pastrimin e disa korridoreve, ne i inkurajojmë që këtë ta bëni deri në pafundësi, por s’iu japin as juve ma shumë se 300 euro. Ne presim përkrahje nga studentët dhe jo thyerje të grevës. Me këto veprime nuk mund ta frikësoni askënd me përjashtim të atyre që ju fusin në këtë lojë”, ka shkruar Azemi.