Lajme

Studentët në Serbi paralajmërojnë mosbindje civile nëse nuk shpallen zgjedhjet

06/26/2025 17:05
nga:Y I

Nëse Qeveria e Serbisë nuk i shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare deri në mbrëmjen e 28 qershorit, “qytetarët do të jenë të gatshëm t’i marrin të gjitha masat ekzistuese të mosbindjes civile”.

Kështu paralajmëruan studentët protestues serbë, përpara tubimit të paralajmëruar në Beograd, për datën 28 qershor – ditën kur festohet Vidovdani, i cili në histori lidhet me Betejën e Kosovës, më 1389.

Kërkesë e dytë e studentëve është ndërprerja e protestës në qendër të Beogradit, ku kundërshtarët e studentëve protestues, të cilët e cilësojnë veten si “studentë që duan të mësojnë”, kanë ngritur kampe tash e tre muaj.

Një grup i studentëve protestues, që nga fundi i nëntorit të vitit të kaluar, ka bllokuar shumicën e universiteteve shtetërore në Serbi, duke shprehur pakënaqësi me situatën socio-politike në këtë vend, pas aksidentit në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

Nga shembja e një strehe prej betonit atje, 16 persona kanë humbur jetën.