Girona është surpriza më e bukur e kampionatit spanjoll, teksa në fundjavë, skuadra e Michel do të vendoset përballë Real Madrid, në “Santiago Bernabeu”, ndoshta në sfidën më të madhe të historisë së tyre.
Kjo për faktin se Real Madrid kryeson me 58 pikë, dy më shumë se Girona dhe kjo përballje nuk është as më pak e as më shumë, por takimi direkt për titullin kampion.
Duke folur në konferencën për mediet përpara këtij takimi, Cristhian Stuani u shpreh se kjo ndeshje do të jetë shumë e vështirë, teksa synohet maksimumi nga kjo përballje.
“Jemi shumë të emocionuar. Është një javë ndryshe sepse ne e dimë se sa e rëndësishme është kjo ndeshje. Atmosfera është e mrekullueshme dhe të gjithë në skuadër janë shumë të emocionuar, por mbi të gjitha, me këmbë në tokë sepse e dimë shumë mirë se kundër kujt do të luajmë. Të luash kundër Real Madrid me mendimin për t’i parakaluar në renditje është më shumë se një motivim. Megjithatë, është koha perfekte për të shkuar në Madrid dhe për të fituar. Ne kemi kohë që nuk ëndërrojmë, por po e shijojmë këtë sezon, këtë moment dhe besoj se të gjithë duhet ta shijojnë këtë skuadër, kemi bërë një punë shumë të madhe. Shanset tona? Padiskutim që ne nuk jemi favorit. Na pret një ndeshje e vështirë, ata janë skuadra e vetme që na kanë mundur në La Liga, por e theksoj, kemi punuar dhe po punojmë shumë për të zhvilluar një ndeshje të madhe. A e mendoj golin? Patjetër që po, por nuk ka rëndësi shumë nëse shënoj unë apo jo, rëndësi ka skuadra” – përfundoi Stuani.
Cristhian deri më tani ka shënuar 98 gola në La Liga, teksa këtë sezon është luhatur mes ndeshjeve si titullar dhe ato si zëvendësues, kjo për shkak të konkurrencës, por edhe moshës së tij, por kjo se ka ndaluar që sa herë të prek fushën e blertë të ndihmoj skuadrën dhe të vendos në punë eksperiencën e tij.