Nezir Kraki nga koalicioni LVV–GUXO ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke theksuar se marrja e përgjegjësive publike duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi për pasojat politike.
Duke folur në Debat Plus, Kraki ka kujtuar rënien dhe luhatjet e LDK-së në zgjedhjet e fundit, duke thënë se partia ka kaluar nga 13 për qind në vitin 2021, është ngritur në 18 për qind dhe tani është rikthyer sërish në 13 për qind, çka sipas tij e bën të domosdoshëm reflektimin e lidershipit.
“Kur merr përgjegjësi publike, duhet të marrësh edhe përgjegjësi për pasojat. Është krejt legjitime që figurat kryesore të rishpërndajnë përgjegjësinë”, ka deklaruar Kraki.
Ai ka përshëndetur veprimin e Hykmete Bajramit, e cila ka ofruar dorëheqje nga pozita e nënkryetares së LDK-së, duke vlerësuar se partia ka nevojë për ripozicionim të qartë politik.
Sipas Krakisë, LDK-ja duhet të sqarojë drejtimin dhe vijën politike që do të ndjekë në të ardhmen, pasi, siç u shpreh ai, strategjia e ndjekur nga kryetari Lumir Abdixhiku nuk ka dhënë rezultat.
Kraki ka kritikuar gjithashtu qasjen e LDK-së në Kuvend gjatë muajve të fundit, duke e quajtur destruktive qëndrimin e saj për të mos votuar asnjë emër për kryeparlamentar.
“LDK për tetë apo dhjetë muaj në Kuvend ishte as bardhë e as zi. Dilnin me të njëjtën fjali: nuk votojmë asnjë emër. Kjo nuk ka pasur sens dhe ka qenë një qasje destruktive”, ka thënë ai.


