Lajme

Stradner ironizon rikthimin e shërbimit ushtarak nga Vuçiq: Një tjetër tentativë për vëmendje nga Perëndimi

09/16/2024 08:11
nga:G B

Ivana Stradner, ekspertja e fushës së sigurisë dhe informacionit dhe vëzhguese e thellë e gjendjes në Ballkanin Perëndimor, ka komentuar deklaratën e fundit të presidentit serb, Alkesandar Vuçiq për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi.

Stradner e ka quajtur këtë një hipokrizi të radhës të Vuçiqit si përpjekje për të tërhequr vëmendjen e perëndimit.

Përmes një postimi në “X” Stradner ironizoi situatën, duke përmendur se qytetarët serbë po bëjnë shaka në rrjetet sociale sesi do ta kundërshtojnë këtë urdhër.

“Një tjetër marrëzi e Vuçiqit teksa kërkon vëmendje nga Perëndimi. Është qesharake të lexosh komentet online – serbët po bëjnë shaka se si do ta kundërshtojnë këtë urdhër. Ndërkohë, njerëzit nacionalistë pro-Vuçiqit i dërgojnë fëmijët e tyre për të studiuar në Perëndim dhe në shkolla ndërkombëtare në Serbi”, ka shkruar Stradner.


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq njoftoi se ka nënshkruar marrëveshjen për shërbimin e rregullt ushtarak për 75 ditë.

“Dua të besoj se Qeveria e Serbisë do ta miratojë këtë vendim”, tha Vuçiq gjatë ceremonisë së gradimit të oficerëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë.

“Dua të besoj se të gjithë e kuptojnë se sa kemi nevojë për një ushtri të fortë, se sa më shumë armë do të duhet të blejmë, të prodhojmë, sepse nuk është dëshira jonë që të sulmojmë askënd e as që do ta bëjmë. Por, dëshira jonë është të pengojmë këdo që na kërcënon çdo ditë pa pasur frikë”, shtoi ai, duke mos specifikuar se kush po e kërcënon Serbinë.