Lajme

Stoltenberg: Serbia është e përgatitur të sigurojë llogaridhënie për autorët e dhunës së fundit në Kosovë

11/21/2023 15:47
nga:N K

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shkruar për takimet që pati me udhëheqësit serbë në Beograd ku qëndroi atje në kuadër të vizitës në disa shtete të rajonit.

Ai tha se Serbia është e përgatitur që të mbajë përgjegjës autorët që shkaktuan dhunë së fundi në Kosovë.

“Diskutime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, për tensionet e fundit dhe rolin vital të KFOR’it në mbrojtjen e të gjithë komuniteteve në Kosovë. E mirëpres që Serbia është e përgatitur që të ndihmojë në sigurimin e llogaridhënies për autorët e dhunës së fundit”, ka shkruar Stoltenberg në X.

 

Në konferencën e përbashkët për media me presidentin serb, Stoltenberg në Beograd deklaroi se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk e ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.

Ndërkaq, siç njoftoi NATO përmes një komunikate në faqen zyrtare, Sekretari i Përgjithshëm i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, pasi kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm.

Sekretari i Përgjithshëm theksoi gjithashtu rolin e misionit paqeruajtës të KFOR-it të NATO-s.

“Për dy dekada, KFOR-i ka siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë në Kosovë për të gjitha komunitetet. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. Në maj, trupat tona të KFOR-it u sulmuan. Nëntëdhjetë e tre prej tyre u plagosën, disa pësuan lëndime që ua ndryshoi jetën. Në shtator pamë një tjetër shpërthim të dhunës së rëndë në Kosovë, kjo është e papranueshme. Faktet duhet të vërtetohen, autorët duhet të përballen me drejtësinë. Prandaj e mirëpres që Serbia është e përgatitur për të bashkëpunuar në këto përpjekje”.

Stoltenberg mbërriti në Beograd pas një vizite që pati të hënën në Prishtinë.

Këtu Stoltenberg tha se aleanca po shqyrton nëse është i nevojshëm shtimi i përhershëm i pranisë ushtarake në Ballkan. Stoltenberg i bëri këto komente duke iu referuar sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Ndërkaq në Prishtinë, Stoltenberg erdhi pas vizitës në Bosnje e Hercegovinë ku tha se NAT0-ja është e shqetësuar me idetë e ndarjes dhe me ndikim rus.

Stoltenbergu sot do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut, shtet anëtar i NATO-s, ku do të takohet me krerët shtetërorë dhe do t’i drejtohet Kuvendit të këtij shteti.

Më 22 nëntor, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do ta përmbyllë turneun ballkanik me një takim me udhëheqësit e shteteve anëtare të NATO-s nga rajoni. Ai do të takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, presidentin kroat, Zoran Millatoviq, kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe me atë të Sllovenisë, Robert Golob.