Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se askush nuk mund të garantojë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbeten në Aleancë, por se është i bindur se duhet bërë gjithçka që është e mundur për të zvogëluar rrezikun e daljes së saj.
“Nuk mund të premtoj se SHBA-të do të qëndrojnë në NATO, askush nuk mundet. Megjithatë, jam i bindur se duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të zvogëluar rrezikun e largimit të SHBA-ve dhe se ne vetë jemi në pozicionin më të mirë të mundshëm për t’u përballur me të nëse ndodh”, i tha ai gazetës Spiegel.
Stoltenberg shtoi se “marrëdhëniet me SHBA-në duhet të ndërtohen dhe kjo do të thotë se duhet të themi kur nuk jemi dakord me to”.
Duke folur për të ardhmen e NATO-s, Stoltenberg paralajmëroi se mbijetesa e Aleancës nuk duhet të merret si e mirëqenë, duke shtuar se asgjë nuk është e përcaktuar dhe se gjërat mund të ndryshojnë.
Sipas tij, është thelbësore të forcohet kohezioni transatlantik, pavarësisht nëse Amerika do të mbetet një aleate po aq e përkushtuar e NATO-s në të ardhmen apo jo.
Ai paralajmëroi gjithashtu se Evropa duhet t’i marrë seriozisht deklaratat e SHBA-së për marrjen e kontrollit të Grenlandës, duke theksuar se nuk duhet të ketë spekulime rreth motiveve të fshehta të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Diplomati norvegjez hodhi poshtë spekulimet rreth asaj se cilat mund të jenë arsyet e vërteta të politikës së Trump ndaj këtij ishulli arktik.


