Lajme

Stojkoviq: Vuçiqi s’do ta arrestojë Radoiçiqin, e dërgoi avokatin e tij për të vëzhguar zgjedhjet në Rusi

03/17/2024 12:50
nga:G B

Avokati serb, Çedomir Stojkoviq ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk do ta arrestojë, Milan Radoiçiqin, i cili kishte pranuar se organizoi sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Stojkoviq ka thënë se Vuçiqi jo vetëm që s’do ta arrestojë Radoiçiqin, por siç thotë ai,  avokatin e tij, Goran Petronieviqin, e ka dërguar si vëzhgues në zgjedhjet presidenciale në Rusi.

“Vuçiqi jo vetëm që nuk do ta arrestojë Radoiçiqin, por e dërgon avokatin e tij dhe të vetin në Krime për të vëzhguar zgjedhjet e Putinit”, shkroi Stojkoviq në platformën “X”.

 

Ndryshe, më 24 shtator 2023, një grup i armatosur i serbëve vrau rreshterin policor Afrim Bunjaku në Banjskë.

Në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë.

Kosova akuzon Serbinë për sulmin, ndërsa këtë e kundërshton Beogradi.

Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin, kaloi një ditë në paraburgim dhe më pas u lirua për t’u mbrojtur me kusht që të mos largohej nga Serbia dhe të mos shkonte në Kosovë.