Lajme

Stërmbushja e QKUK’së me pacientë, Valbon Krasniqi: Po detyrohemi të organizojmë shtretër shtesë

08/28/2021 22:24
nga:M K

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale po mjekohen mbi 1,000 pacientë me koronavirus, shumica në gjendje të rëndë dhe me oksigjeno-terapi.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës Valbon Krasniqi thotë se po detyrohen të organizojnë shtretër shtesë.

“Ne sot kemi 1,139 pacientë që po marrin trajtim në klinikat e QKUK-së dhe në shtatë spitalet e përgjithshme në Kosovë. Ky numër tani ka kaluar numrin prej 1, 010 pacientësh që e kemi pasur në pikun e pandemisë gjatë nëntorit të vitit të kaluar”, tha Krasniqi për RTV21.

Më tej ai tha se tashmë po detyrohen të kërkojnë shtretër dhe hapësira shtesë brenda klinikave.

“Po na duhet të organizojmë shtretër shtesë, të kërkojmë hapësira të tjera për të shtuar këto kapacitete. Ne nuk mund të garojmë me virusin, se sa mund të infektojë virusi. Ne nuk duhet të kërkojmë shtretër shtesë, por duhet ta ndalim virusin”, tha ai.

Infektologu Krasniqi tha se ndalja e virusit bëhet vetëm përmes vaksinimit dhe respektimi i masave mbrojtëse nga secili qytetar.

Ai tha se relaksimi i situatës në tre muajt e fundit, ka ndikuar që të kemi një përhapje kaq të madhe të virusit kohët e fundit.