Ish-pjesëtari i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, Nebih Balaj ka shprehur zhgënjimin e tij për situatën në të cilën ndodhen sot veteranët e UÇK-së.
Në RTV Dukagjini ai thotë se është për keqardhje se si janë fryrë listat e veteranëve të UÇK-së.
“E kam statutin e veteranit por nuk jam i kënaqur pasi listat shumë janë fryrë. Kryesisht fryrja e listave është bërë në baza politike. Secili për interesa të veta, për të përfituar më shumë vota”.
Madje Balaj thotë se sot ndihet ngushtë kur i tregon dikujt që ka qenë ushtarë i UÇK-së.
“Më vjen keq sot t’i them dikujt se kam qenë ushtarë i UÇK-së. Na kanë humbur vlerën. Statusi i veteranit është shitur në kafiteri 3-4 mijë euro. Kjo është shumë i dhimbshme. Njoh njerëz që na kanë penguar në luftë sot e gëzon statutin e veteranit barabartë me mua”.
Ai thotë se gjatë luftës me mijëra herë ka qenë i rrezikuar derisa ka shërbyer për të siguruar logjistikën e UÇK-së.
Balaj është i pakënaqur edhe me aspektin që roli i logjistikës së UÇK-së nuk po respektohet në raport me strukturat tjera.