Lajme

Statovci: Sesioni pranveror është përmbyllur me një numër rekord të projektligjeve

03/12/2023 09:33
nga:Y I

Partia në pushtet, e konsideron si shumë produktive këtë legjislaturë.

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, ka thënë se sesioni pranveror është përmbyllur me numër rekord të Projektligjeve, ndërsa për vonesat e projektligjeve ka një arsyetim.

“E dimë që sesioni pranveror është përmbyllur me një numër rekord të Projektligjeve në historinë e parlamentarizmit të Kosovës. Nëse e shikojmë në tërësi vitin, pra ne kemi rreth 110 Projektligje që kanë kaluar në dy lexime. Pra një volum mjaft i madh”.

Por, sipas saj, ka disa ligje të cilat vonohen për shkak të kërkesës nga ministritë që t’iu përshtaten “rrethanave të reja”.

“Nëse e shikojmë Ligjin për burime të ripërtërishme, i cili ka një rëndësi të veçantë, në justifikimin e Ministrisë ka qenë që rrethanat e reja energjetike si dhe ndryshimi i politikave edhe në Bashkimin Evropian karshi stimulimeve për burimet e ripërtërishme në energji, ka kërkuar që të përshtatet këtyre rrethanave të reja që është duke i aplikuar edhe BE-ja”, tha Statovci për EO.