Sporti

Statovci: Lojtarët e Superligës duhet të ftohen në kombëtare në ndeshjet miqësore, e jo të bëjmë bujë si para takimit me Spanjën e Suedinë!

04/27/2021 18:27
nga:L J

Kombëtarja e Kosovës do të luajë ndaj Komorosit dhe Gambisë në muajin qershor, në kuadër të ndeshjeve miqësore.

Federata e Futbollit të Kosovës ka konfirmuar para pak çastesh se ndeshja ndaj Komorosit dhe Gambisë do të luhet në Antalia, e që do të përbëhet kryesisht nga lojtarë të Superligës së Kosovës, shkruan GazetaBlic Sport.

Trajneri i njohur kosovar dhe analisti, Faruk Statovci mendon se lojtarët e Superligës së Kosovës duhet të ftohen në ndeshje të tilla, e jo në ato takimet e rëndësishme si ato ndaj Suedisë dhe Spanjës.

“Po, unë po mendoj se nëse duhet të ftohen lojtarë të Superligës, këto janë ndeshje për me i pa formën e tyre edhe çka kemi si potencial”,tha fillimisht Statovci për ‘GazetaBlic Sport’.

“Unë po mendoj që është ide e mirë që në këto ndeshje kanë vendos me iu dhënë hapësirë lojtarëve të Superligës. Unë e kam thënë sa herë, nëse duhet të kemi lojtarë të Superligës, atëherë janë këto ndeshje miqësore, ku duhet me iu dhënë mundësinë, e jo sikur me Spanjën edhe Suedinë që e bënë bujë pa nevojë. E mira e kësaj është që paskan vendos m’i lujtë këto miqësore me lojtarë të Superligës”, vazhdoi ai.

Në pytjet se cilët lojtarë e meritojnë ftesën, Statovci tha se ka lojtarë të mirë në kampionat që mund ta dëshmojnë potencialin e tyre.

“Kemi lojtarë me cilësi në kampionat, tani me siguri duhet në bazë të përformancës që kanë lojtarët të ftohen. Mendoj se kemi lojtarë të mirë që do të paraqiten mirë në këto ndeshje”, përfundoi Statovci.

/GazetaBlic Sport.