Lajme

Statistikat e ministrit Murati/ Ekonomisti tregon a ka rritje ekonomike në vend

01/10/2024 14:24
nga:G B

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ka rritje ekonomike në vend.

Por, për shifrat e publikuara dje nga ai në Facebook, pati reagime.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Jakup Bellaqa, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ka pasur rritje ekonomike progresive por në përqindje më të vogël.

“Sa i përket buxhetit për vitin 2024, ka rritje buxhetore dhe kjo rritje është në shifra për 102 milionë euro, më shumë se viti paraprak dhe kjo reflektohet sigurisht edhe në rritjen ekonomike. Kjo do të thotë se edhe në vitin 2023 apo vitin paraprak, ka pasur një rritje ekonomike progresive, por do të ishte solide një rritje mesatare ekonomike nëse do të ishte prej 7 % ose 8 %, nëse realizohet ndër vite, sidomos do të ishte nëse do të bëhej për 5 apo 6 vite në vazhdimësi dhe kjo rritje të realizohet në sektorët strategjik të ekonomisë, ku do të gjeneroheshin punësime dhe zhvillime socio-ekonomike”, thotë ai.

Ekonomisti tregon si duhet të veprohet që rritja ekonomike të marrë hov në vend.

“Sa i përket zhvillimit ekonomik, mendoj që të merrte një hov më të madh dhe se do të duhej të avancohen politikat monetare dhe fiskale, dhe politikat publike dhe të fuqizohet sektori privat me ligje të mira dhe të shtohet oferta vendore e produkteve, ku ka potenciale ekonomike që të prodhohen brenda vendit tonë, ku shteti duhet të ketë lehtësira fiskale, monetare dhe tatimore, që do të ndikonte në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror dhe do të rritej BPV, dhe ekonomia kombëtare”, deklaron Jakup Bellaqa./Gazeta Blic/