Lajme

Stano konfirmon takimin e kryenegociatorëve në Bruksel për dialogun Kosovë-Serbi

10/18/2024 10:51
nga:Sh R

Të enjten e 24 tetorit, në Bruksel pritet të zhvillohet rundi i ri i takimeve në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Lajmin për TV Dukagjini e ka konfirmuar Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

“Përshëndetje, po, mund të konfirmoj takimin e kryenegociatorëve në Bruksel më 24 tetor”, tha Stano për Dukagjinin.

Më 17 shtator Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë zhvilluar dy herë bisedime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili nuk arriti t’i bindë ata për një takim trepalësh në Bruksel.

Herën e fundit kur është zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti.

Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime polare rreth asaj që kishte ndodhur në takime. Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.