Lajme

Stano: Çështjet e arsimit dhe shëndetësisë në veri të adresohen paralelisht me themelimin e Asociacionit

11/15/2024 14:40
nga:Sh R

Bashkimi Evropian tha se po ndjek me kujdes zhvillimet në veri të Kosovës të lidhura me funksionimin e shërbimeve që mbështeten nga Serbia. Zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, tha se këto çështje duhet të adresohen në kuadër të dialogut të Brukselit për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi duke ndjekur zhvillimet dhe jemi në dijeni për raportet për arrestimin e një drejtori serb të shkollës në Kosovë. Unë mund të rikujtoj se BE-ja ka qenë shumë, shumë e qartë se statusi dhe tranzicioni i disa shërbimeve të mbështetura nga Serbia, sidomos sistemi shkollor dhe edukativ, duhet të adresohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, paralelisht me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është obligim i kamotshëm i autoriteteve të Kosovës”, tha Stano, duke bërë thirrje për përmbajtje nga hapat e njëanshëm.

Stano ka folur edhe sot për masat e BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se heqja e tyre është ende nën shqyrtim dhe se diskutimet po vazhdojnë.

“Çështja e masave është ende në shqyrtim në Këshill. Kjo do të thotë se është duke u debatuar dhe do të vendoset nga vendet anëtare të BE-së, pavarësisht se kur skadon mandati i institucioneve aktuale evropiane”, deklaroi Stano.