Lajme

Stano: As Kosova, as kryeministri i saj s’vendosin për heqjen e masave

10/15/2024 19:12
nga:G C

Kryeministri Albin Kurti u bë i zëshëm në kërkesën e tij për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës në takimet që zhvilloi në kuadër të Procesit të Berlinit. Ai i kërkoi kancelarit gjerman Olaf Scholz mbështetje për largim të tyre dhe po të njëjtën kërkesë e pati edhe në takim me kryediplomatin italian Antonio Tajani.

Kësaj kërkese të Kurtit i dha sot një përgjigje zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Nuk është Kosova dhe as kryeministri i saj që vendosin nëse masat do të hiqen apo jo, ky është një vendim që duhet ta marrin shtetet anëtare”, tha Stano për Express.

Ai bëri të ditur se diskutimet për këtë çështje vazhdojnë të zhvillohen mes shteteve të bllokut, derisa përmendi edhe raportin e shefit të tij, kryediplomatit Josep Borell, në të cilin rekomandohej heqja e këtyre masave.

“Përfaqësuesi i Lartë ka lëshuar më 3 qershor një deklaratë në emër të BE-së, i pasuar nga raporti i Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga ana e Kosovës. Diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill”, tha Stano.

Borrell ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës në qershor të këtij viti, megjithatë ende nuk është marrë një vendim.