Seanca e sotme e Kuvendit Komunal të Prishtinës u bojkotua nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), ku një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte plani zhvillimor i qytetit, raporton GazetaBlic.
Gëzim Sveçla, ngriti shqetësime të forta lidhur me mënyrën se si Përparim Rama ka trajtuar çështjet e rëndësishme për qytetin.
Sveçla për GazetaBlic theksoi se ky veprim i Përparim Ramës nuk është i izoluar dhe ka pasur një histori të ngjashme edhe në lagjen Kalabria, ku, sipas tij, qytetarët kanë ngritur shqetësime të shumta që nuk janë marrë parasysh.
“Përparim Rama ka bërë një gjë të tillë edhe me lagjen Kalabria, ku e vendosi në diskutim publik, pastaj kemi pasur diku rreth 100 ankesa nga qytetarët e kësaj lagjeje dhe asnjë prej tyre s’është marrë parasysh.”
Sveçla vazhdoi të shprehte shqetësimin e tij për mënyrën se si po menaxhohen çështjet publike dhe proceset vendimmarrëse.
Sipas tij, qëllimi i Përparim Ramës është që të vendosë çështje të rëndësishme në diskutim publik, duke anashkaluar procedurat ligjore dhe pa respektuar interesin e qytetarëve.
“Qëllimi i Përparim Ramës është që ta vendosë në diskutim publik, pa i respektuar ligjin dhe procedurat, pastaj me një shpejtësi të madhe, ashtu siç ka ndodhur edhe thirrja e kësaj seance, ta bëjë draftin final dhe ta kalojë.”
Gjatë diskutimit të zhvilluar pas bojkotit të seancës, Svecla theksoi se ka pasur edhe tentativë për të manipuluar asambleistët dhe për të kaluar këto vendime në mënyrë të shpejtë, duke i cilësuar ato si “tendenca dhe kontrabandime të asambleistëve” për qëllime të caktuara.
Ai tutje tha se VV nuk do të bëhet pjesë e këtyre “lojërave” dhe do ta kundërshtojë fuqishëm çdo tentativë për të imponuar një plan zhvillimor që, sipas tij, nuk i shërben qytetit.
“Jemi dëshmitarë që ka pasur tendenca dhe kontrabandime të asambleistëve për këto qëllime, por ne si VV nuk bëhemi pjesë e lojërave të Përparim Ramës dhe fuqishëm do ta kundërshtojmë çdo tentim të tij të radhës për ta imponuar një PZHK që nuk i shërben qytetit”, tha Sveçla për GazetaBlic.


