Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka komentuar fitoren e Faton Pecit në Mitrovicë, ky i fundit u përballë me Arian Tahirin në balotazh.
Musliu në një prononcim për GazetaBlic, fitoren e Pecit nuk e sheh si të denjë, duke thënë se është e ndërtuar mbi propagandë.
“Jo çdo fitore është një fitore e denjë. Ka fitore që shkëlqejnë vetëm për një moment, fitore të zhurmshme dhe sipërfaqësore. Ato janë ndërtuar mbi propagandën, jo mbi të vërtetën; mbi taktika, jo mbi integritet. Triumfe të tilla mund të kurorëzojnë një fitues, por ato nuk mund ta heshtin të vërtetën që të gjithë, përfshirë edhe vetë fituesin, e dinë thellë-thellë se jo të gjitha fitoret janë të merituara”, thotë Musliu.
Sipas Musliut, Peci betejën me Tahirin nuk e ka fituar vetë dhe siç thotë ajo, edhe ai vetë e di që kundërkandidati i tij është i pathyeshëm.
“Ai që shfrytëzon avantazhin pa nder mban një barrë të heshtur mbi supet e tij. Edhe në triumf, ai ndjen peshën e një beteje që nuk e ka fituar vërtet. Ai e di që kundërshtari i tij mbetet i fortë, i pathyer dhe i pazvogëluar, sepse forca e vërtetë nuk matet me duartrokitje ose numra, por me bindje, qëndrueshmëri dhe refuzim për t’u dorëzuar ndaj gënjeshtrës”, shton tutje Musliu.
Madje sipas Musliut “është më mirë të humbasësh sesa të blihesh dhe të jetosh përgjithmonë me dijeninë se integritetin tënd e vure në Pazar”.
“Historia nuk i kujton fitoret boshe. Ajo kujton të palëkundurit, ata me parime, ata që mund të kenë humbur në moment, por kanë qëndruar për diçka shumë më të madhe se pushteti. Sepse në fund të fundit, është më mirë të humbasësh me nder sesa të fitosh pa të.Është më mirë të humbasësh sesa të blihesh dhe të jetosh përgjithmonë me dijeninë se integritetin tënd e vure në Pazar”, tha ajo.
Në fund, Musliu falëndroi të gjithë personat që votuan pa iu nënshtruar presionit, teksa i përshkruan si guximtar dhe me integritet të palëkundër.
“Faleminderit të gjithëve atyre që qëndruan të palëkundur, që nuk u dorëzuan, nuk u shitën dhe nuk iu nënshtruan presionit. Ata kanë treguar guxim, unitet dhe integritet të palëkundur”.
“Ata kanë vërtetuar se në një garë të drejtë dhe të barabartë, janë vërtet të pamposhtur. Forca dhe bindja e tyre ndriçojnë rrugën përpara për të gjithë ata që ende besojnë në drejtësi, të vërtetë dhe dinjitet. Një falënderim i përzemërt për mbështetësit e palodhur të Partisë Demokratike në Mitrovicë, të cilët kanë qëndruar në këmbë kundër të gjithë aparaturës shtetërore për dy muaj të tërë. Dhe në këtë përballje, kanë treguar forcë dhe dinjitet. Edhe pa pushtet, ata fitues të vërtetë”, përfundoi Musliu për GazetaBlic.


