Lajme

Scholz: Koha t’i tejkaloni konfliktet, ngjarjet në Veri ua vërtetuan sa e rëndësishme është kjo

10/16/2023 12:33
nga:N M

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, gjatë fjalës së tij në hapje të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, i cili për herë të parë zhvillohet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian (BE), ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së.

Derisa ka folur për momentumin e zgjerimit të BE-së, ai ka përmendur rrjedhën e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi, posaçërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, derisa ka apeluar në tejkalimin e konflikteve rajonale që po e mbajnë peng Ballkanin Perëndimor.

“Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet të cilat kanë vijuar për shumë gjatë dhe në fakt ju kanë mbajtur dhe ju mbajnë në vendnumëro. Përshkallëzimet e kohëve të fundit në Veri të Kosovës kanë vërtetuar sa e rëndësishme është kjo. Ne duhet të përfundojmë zbatimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur në dialogun për normalizim me ndërmjetësin e BE-së”.

Eskalimi në shkallë të gjerë i situatës në veriun e trazuar të Kosovës ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që po i mbanë të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë kësaj kohe, megjithëse BE-ja pret nga palët që të rikthehen në tryezën e negociatave nën kujdesin e lehtësuesve evropianë në Bruksel.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje madhore, përveç liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimorë, pritet të jenë edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Verhelyi dhe shumë zyrtarë tjerë të BE-së e liderë të shteteve anëtare

Kurti në takim me Roth: Dialogu nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë