Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit të UÇK-së, Rrustem Mustafa, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me shpenzimet prej 36 milionë eurosh për mbrojtjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, raporton GazetaBlic.
Mustafa tha se kjo shumë është e vogël krahasuar me peshën e çështjes që po zgjat prej pesë vitesh, duke theksuar se vetëm shpenzimet e udhëtimeve të familjarëve dhe qytetarëve për vizita i afrohen kësaj vlere.
“Ndjehem keq që kryeministri i vendit tim merret me aq pak mjete për një çështje aq të madhe që po e jetojmë prej pesë vitesh. Pesë vite, të gjithë ata familjarë dhe gjithë ajo shoqëri që kanë shkuar për vizita, vetëm biletat e udhëtimit mund të kushtojnë diku përafërsisht sa kjo vlerë që po e përmend Kurti”, tha Mustafa.
Mustafa shtoi se, ndonëse Kurti është veteran, ka ndërmarrë veprime që, sipas tij, kanë dëmtuar veteranët, përfshirë largimin e tyre nga ligji për pagën minimale.
Në fund, Mustafa theksoi se do të vazhdojë të reagojë derisa, sipas tij, të ndalet keqmenaxhimi dhe qasja e gabuar ndaj vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur zhgënjim edhe për politikat që, sipas tij, po ndërtohen nga rrethi i kryeministrit.
“Ka mundur të ndërtohet një strategji që do të ndërhynte pozitivisht në qasjen se si do të dukej procesi i ndjekjes së eprorëve të UÇK-së. Kryeministri është veteran, por ka prodhuar situata kundër veteranëve, i ka larguar nga ligji për pagat e veteranëve të UÇK-së dhe nga paga minimale.”
“Derisa ta ndalim këtë keqmenaxhim dhe këtë keqdrejtim karshi vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë do të reagoj. Jam i befasuar dhe po ndihem keq pse njerëzit rreth tij ndërtojnë kësi politika”, tha Mustafa në Debat Plus./GazetaBlic/
Albin Kurti: Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për ushtri moderne me standarde të NATO-s


