Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza sonte në tubimin e mbajtur në Kaçanik është shprehur se do t’i përkrahin bizneset dhe sipas tij, do të krijojnë ambinet më miqësor për to.
Hamza tha edhe se do t’i funksionalizojnë sigurimet shëndetësore dhe do ta dyfishojnë buxhetin për barnat esenciale.
“Premtimet tona janë vizioni ynë, në do ta mbështesim biznesin, ne do t’i përkrahim bizneset dhe do të krijojmë një ambinet më miqësorë për biznesin. Jo vetëm për ndërmarrësit, po me qëllim që ata t’i kenë kushtet më të mira dhe ne të përmirësojmë gjendjen e të punësuarve në sektorin privat”.
“Ne kemi nevojë për një shëndetësi më të mirë, me pacientë në qendër, ne do t’i funksionalizojmë sigurimet shëndetësore, do ta dyfishojmë buxhetin për barnat esenciale dhe ju sigurojë që të sëmurët kronikë me kancer dhe të sëmurët kronikë me sëmundje të tjera, asnjëherë nuk do të përballen me mungesën e barnave. Ne do ta ndërtojmë një arsim për të ardhmen, një arsim i cili i kualifikon njerëzit për tregun e punës”, është shprehur ai.
Kandidati i PDK-së për kryeministër u shpreh se do t’i rrisin pensionet bazike 70 për qind.
“Kur jemi tek zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, qëllimi jonë është që ne ta përmirësojmë standardin e jetesës së qytetarëve tanë. Kur jemi te familjet, nuk kam si të mos fillojë me ata më meritorët, familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët e luftës, ne do t’i rrisim pagesat për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët për 50 për qind”
“Do t’i rrisim pensionet bazike 70 për qind, do t’i rrisim pensionet për të gjitha kategoritë, po e mbitheksoi sepse po më pyesin ‘a jam edhe unë si kategori e përfshirë, a jemi edhe ne si kategori të përfshirë’, unë po iu deklarojë dhe i qëndroi prapa se të gjithë ata që përfitojnë ndihma, pensione prej buxhetit të shtetit, do të përfitojnë rritje prej 50 për qind”, u shpreh ai.
Hamza para qytetarëve të Kaçanikut u shpreh se prioritet i tyre është zhvillimi dhe forcimi me ShBA-në dhe BE-në.
“Kam deklaruar dhe prapë po deklarojë, edhe po iu zotohem edhe po garantojë që do t’i rrisim pagat për 50 për qind në fillim të mandatit. Do të kemi projekte kapitale, tranformuese. Projekte në infrastrukturë rrugore, hekurudha, spitale, ujësjellësa gjithandej Kosovës, 6 miliardë brenda mandatit katërvjeçar”.
“Dhe sigurisht që prioritet i yni i lartë është edhe zhvillimi, forcimi me partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, do të jemi partnerë të besueshëm dhe të parashikueshëm”, u shpreh tutje Hamza.