Lajme

Seanca konstituive, Kuvendi publikon rendin e ditës – vendimtare për formimin e institucioneve të reja

10 ditë më parë
nga:G C

Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë nesër, e martë, seancën e tij konstituive në sallën plenare, duke filluar nga ora 10:00.

Kjo seancë shënon hapin e parë drejt konstituimit të legjislaturës së re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në rendin e ditës janë përfshirë:

Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,

Betimi i deputetëve,

Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,

Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Seanca konsiderohet e përmbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur drejtuesit e Kuvendit dhe të jetë bërë betimi i deputetëve.

Vetëvendosje, si partia fituese me 48 ulëse, ka të drejtën të propozojë kryeparlamentarin. Për zgjedhjen e tij kërkohen së paku 61 vota. Po kaq vota do të nevojiten edhe për krijimin e Qeverisë së re, që pritet të pasohet pas konstituimit të Kuvendit.

Ndërkohë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi se partia e tij është e gatshme të japë kontributin në procesin e krijimit të institucioneve, megjithëse ende nuk ka një marrëveshje me asnjë parti.

“Ne do të japim kontributin tonë. Presim që qeveria të krijohet sipas afateve kushtetuese. Do ta luajmë rolin tonë në krijimin e këtyre institucioneve, për aq sa na takon — dhe këtu përfundon detyra jonë kushtetuese”, u shpreh Limaj.

Votat e tre deputetëve të Nismës Socialdemokrate mund të jenë vendimtare për përmbushjen e kuorumit dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit, përderisa Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votim.

Limaj nënvizoi gjithashtu se është i hapur për dialog me të gjitha partitë politike, përfshirë edhe ato opozitare, duke shtuar: “NISMA është e gatshme dhe do të punojë fort që Kosova t’i fitojë institucionet. Çka do të ndodhë, do ta shohim nesër.”

Sipas tij, Kosova përballet me sfida të mëdha dhe krijimi i institucioneve është thelbësor për zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit.

Ndërkohë, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kishte shprehur ambicien që Kuvendi të konstituohet dhe Qeveria të formohet brenda një dite.

Por, ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, u shpreh skeptik, duke thënë për gazetarët se nuk është optimist që të martën do të ketë votim për Qeverinë e re.

LVV-ja ka thënë më herët se preferon një ekzekutiv me partitë nga komunitetet joserbe, por së fundi ka pranuar se i duhet bashkëpunimi edhe me një parti shqiptare.

AAK-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehur kundër bashkëpunimit me LVV-në për Qeverinë.

Por, Nisma nuk i ka vendosur vija të kuqe, ndërkaq nga PDK-ja kanë thënë se ndonëse nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, preferon një ekzekutiv pa LVV-në./