Lajme

Rezultatet në Prishtinë e Mitrovicë, Smakiqi: Balotazhi është si penalltitë në futboll: gjithçka vendoset në sekondën e fundit

10/15/2025 18:12
nga:Genita C

Avokati, Xhevdet Smakiqi ka deklaruar se zgjedhjet e 12 tetorit në Kosovë u zhvilluan në një atmosferë të qetë dhe demokratike, duke dëshmuar një “kulturë të lartë qytetare që na bën krenarë para botës.”

Megjithatë, sipas tij, procesi zgjedhor u njollos nga dy ngjarje që e zbehën këtë vlerë demokratike.

Sipas Smakiqit, “ndërhyrja më shqetësuese ka ndodhur në Mitrovicë, ku Kryeministri Albin Kurti dhe kandidati i listës Guxo, Faton Peci, kanë qëndruar deri vonë në fshatin Shipol, duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e votimit.”

Ai për GazetaBlic shton se “ka dyshime për joshje të votuesve, tentim të blerjes së votës dhe për përdorimin e metodës së njohur si ‘treni bullgar’, që përbën një formë të votimit të kundërligjshëm.”

Smakiqi ka kritikuar edhe deklaratat e Kurtit për hetimin e organizatave joqeveritare që publikuan exit poll-et, duke thënë se “kjo është një ndërhyrje në mendimin e lirë dhe përpjekje për të ushtruar presion mbi institucionet e pavarura.”

Sipas tij, “asnjë exit poll nuk është publikuar para mbylljes së vendvotimeve, pra para orës 19:00, më 12 tetor, prandaj këto akuza janë përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet reale të procesit.”

Duke iu referuar balotazhit në Mitrovicë, Smakiqi vlerëson se “Arian Tahiri, si një figurë e re, arriti një fitore spektakolare përballë kandidatit të mbështetur nga qeveria, duke treguar se qytetarët ndëshkojnë arrogancën dhe ndërhyrjet politike.”

Ai thekson se “përkundër përdorimit të resurseve shtetërore nga qeveria – përfshirë automjetet zyrtare, menaxhmentin e Trepçës dhe propagandën pesëvjeçare për ‘çlirimin e veriut’ – Tahiri doli fitues në raundin e parë.”

Sipas tij, “në balotazh, qytetarët e Mitrovicës do ta votojnë Tahirin pa dallim partie, sepse Faton Peci nuk e përfaqëson Vetëvendosjen, por është kandidati i Guxo-s, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi edhe brenda degës së LVV-së në Mitrovicë.”

Në anën tjetër, lidhur me Prishtinën, Smakiqi thotë se “beteja politike ka natyrë tjetër – jo vetëm për shkak të përplasjes mes LDK-së dhe LVV-së, por edhe për shkak të origjinës së kandidatëve.”

Ai shton se “qytetarët prishtinas nuk e votojnë një prizrenas në vend të një kandidati vendor, sidomos kur kanë tashmë një pasqyrë të qartë për punën dhe dobësitë e Përparim Ramës.”

Sipas tij, “votuesit e PDK-së nuk do ta mbështesin kandidatin e LVV-së, pavarësisht qëndrimit të degës lokale, për shkak të dallimeve të mëdha politike për çështjet kombëtare, UÇK-në, dialogun me Serbinë dhe raportet me SHBA-në dhe BE-në.”

Ai konsideron se “një marrëveshje eventuale për koalicion mes LDK-së dhe PDK-së në Prishtinë do ta siguronte fitoren e Përparim Ramës në balotazh.”

Në fund, Smakiqi thekson se “asgjë nuk është e përfunduar – balotazhi është si penalltitë në futboll: gjithçka vendoset në sekondën e fundit.”