Lajme

Regjistruan targat me RKS/ Sveçla: Sot është sulmuar një oficer serb i PK-së dhe u djeg depo e qytetarit në Zveçan

09/19/2022 17:50
nga:Genita C

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë me dije se sot një tjetër oficer serb i Policisë së Kosovës është sulmuar nga strukturat ilegale të cilët i kanë djegur veturën pasi e regjistroi me targa legale të Republikës së Kosovës, raporton GazetaBlic.

Sveçla përmes një shkrimi në “Facebook”, thotë se përveç kësaj është djegur edhe depo e qytetarit serb në fshatin Grabovc të Komunës së Zveçanit pasi e kishte regjistruar veturën e djalit të tij.

Sipas Sveçlës, të dyja këto raste janë ftesë e hapur për të luftuar institucionet e Republikës së Kosovës.

Shkrimi i plotë:

Tendencat e Vuçiç për të frikësuar qytetarët serb që jetojnë në Kosovë po vazhdojnë. Sot një tjetër oficer serb i Policisë së Kosovës është sulmuar nga strukturat ilegale të cilët i kanë djegur veturën pasi e regjistroi me targa legale të Republikës së Kosovës.
Njejtë, sot në orët e hershme të mëngjesit është djegur depo e qytetarit serb në fshatin Grabovc të Komunës së Zveçanit pasi e kishte regjistruar veturën e djalit të tij.
Të dyja rastet janë ftesë e hapur për të luftuar institucionet e Republikës së Kosovës. I bëjmë thirrje Vuçiç që të ndalojë së mbështeturi strukturat ilegale kriminale me aktet e tyre të dhunshme dhe terroriste ndaj qytetarëve besnikë të Republikës së Kosovës.
Të gjtha institucionet janë të angazhuara në zbardhjen e këtyre rasteve. Jemi më të vendosur se kurrë që rendi dhe ligji të shtrihet në çdo cep të Republikës së Kosovës. Kurrfarë veprimi kriminal i fallangave të Vuçiç nuk do të tolerohet dhe do të luftohet me të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike.