Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se gjatë takimit të saj me Zëvendëssekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Christopher Landau u diskutuan një sërë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin dypalësh, sigurinë, paqen, ekonominë dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.
Presidentja Osmani ka shprehur falënderimet për nënshkrimin e ligjit nga Presidenti Donald Trump, në të cilin përfshihet edhe Republika e Kosovës. Ligji parashikon mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, duke përjashtuar ndryshimet e kufijve, dhe përcakton që dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke.
“Diskutuam edhe për një sërë çështjesh tjera për të cilat është e domosdoshme që të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me SHBA si aleati ynë më i rëndësishëm strategjik dhe në të njëjtën kohë hapat përpara dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim në mënyrë që dialogu strategjike me SHBA të rikthehet”, tha ajo.
Në takimin me Zëvendëssekretarin, Presidentja Osmani ka theksuar gjithashtu mbështetjen e SHBA-ve për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për rritjen e investimeve strategjike në sektorin ekonomik. Ajo ka nënvizuar nevojën për koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në si aleat strategjik dhe ka shprehur besimin e plotë në administratën e Presidentit Trump.


