Ehat Miftaraj nga IKD ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj disa personave për, siç ka thënë, ofendime, fyerje dhe shpifje të publikuara kundër tij.
“Këtë javë që po e lëmë pas ishte javë e ngarkuar me shumë aktivitete, përfshi këtu edhe gripin sezonal që ishte shumë i poshtër”, ka shkruar Miftaraj në postimin e tij.
Ai ka njoftuar se ka dorëzuar padi civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje.
“E kam obligim me iu njoftu se këtë javë kam deponuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë padinë për ofendim dhe fyerje ndaj Alban Krasniqit, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga LVV. Padia lidhet me shpifjet dhe mashtrimet e publikuara ndaj meje”, ka theksuar ai.
Po ashtu, Miftaraj ka bërë të ditur se ka dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj një personi tjetër përmes rrjeteve sociale.
“Po ashtu këtë javë kam deponuar kallëzim penal ndaj Toni Kallabës, një ‘trimi’ në Facebook që jeton në Gjermani me prejardhje nga Kamenica. Për këtë rast kam dhënë edhe deklaratë në krimet kibernetike në Policinë e Gjilanit”, ka shkruar Miftaraj.


