Lajme

Lladrovci tregon arsyen pse u pezullua mësimi në Drenas

01/12/2026 09:00
nga:Genita C

Procesi mësimor në komunën e Drenasit, i cili ishte paraparë të fillonte sot pas pushimit dimëror, është shtyrë deri më 14 janar.

Kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në emisionin “Ora Shtatë” tha se shtyrja e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë ka ndodhur për shkak të mungesës së furnizimit me ujë, dhe se, sipas tij, prindërit nuk kanë mundur t’i përgatisin fëmijët.

“Sa i përket mësimit, ka 6-7 ditë që shumë zona në komunën tonë nuk kanë pasur ujë të pijes, me arsyetimin se kanali i ujësjellësit të Drenasit është i turbullt. Ne, për shkak se shumë familje nuk kanë pasur ujë dhe fëmijët nuk kanë mundur t’i përgatisin për shkollë, ne jemi detyru ta shtyjmë edhe për dy ditë mësimin. Mësimi do të fillojë më 14 janar”, u shpreh Lladrovci.

Ndërkohë, sa iu përket kalueshmërisë së rrugëve në këtë komunë, Lladrovci thotë se disa janë vështirë të qarkullueshme.

“Prej të martës jemi ballafaquar me vërshime në Drenas që nuk mbahet mend. Ka pasur reshje të mëdha, edhe dëme po ashtu shumë të mëdha. Pastaj patëm borë dhe ngrica, prapë vërshime, dhe tani kemi ngrica të rruge, të cilat janë shumë vështirë të kalueshme. Unë dje i kam vizitu pothuajse të gjithë rrugët e Drenasit të cilat janë të pakalueshme, dhe asnjë shofer s’e kam pa që i ka vnu zinxhirët e gomave”, tha ai.