Rumania dhe Kosova do të përballen të premten mbrëma në Bukuresht në ndeshjen vendimtare për Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.
Rumunët kanë kapital prej tre golash nga ndeshja e parë që ishte luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa e presin me optimizëm ndeshjen me Dardanët.
Ish futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Avni Pepa tha për ‘GazetaBlic Sport’ tha se të drejtuarit e Franco Fodas kanë mundësi dhe shanse për ta fituar këtë ndeshje, por që nuk duhet të bien në provokimet e kundërshtarit.
“Po patjetër. Ne kemi shanse për të fituar. Ne jemi shumë të fortë në këto ndeshjet e fundit. Në mbrojtje duhet të jemi të kujdesshëm dhe të luajmë në mënyrë agresive. Dhe normalisht ta mbajmë ‘kokën e ftohtë’, sepse ata do të provokojnë. Në sulm duhet të shënojmë gola, e kemi Vedat Muriqin dhe Zhegrovën që për mua është një lojtar i klasit evropian. Por mesfusha duhet ta fitojë luftën, sepse aty kishim probleme. Rexhbeçaj është një lojtar që na duhej prej kohësh. Ne shkojmë për fitore”, tha ish reprezentuesi kosovar.
Pak më herët, gazetari nga Rumania, Octa Vasilescu paralajmëroi se pritet të ketë thirrje skandaloze propaganduese përsëri ndaj Kosovës nga tifozët rumunë, të cilët sipas tij, ultrasit rumunë i konsiderojnë ‘vëllezër’ serbët.
/GazetaBlic Sport/