Emisioni Debat Plus ka publikuar një audio-incizim, ku dëgjohet zyrtari i Komunës së Prishtinës, Gentrit Syla, në një bisedë me shefin e asamblistëve të LDK-së në Prishtinë, Egzon Pacolli.
Sipas përmbajtjes së incizimit, pretendohet se një delegati i është premtuar punësimi i gruas në këmbim të nënshkrimit kundër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Syla, në “Debat Plus” u shpreh se nuk ka kompetenca që të punësojë njerëz teksa për audion pretendon se është ndryshuar nga delegati.
Syla, mes tjerash, u shpreh se ky audio-incizim është shantazh ndaj tij.
“Kemi fol për biseda të ndryshme, biseda është e fragmentuar në forma të ndryshme edhe po e shoh që LDK-ja dhe ekipa e Lumir Abdixhikut e kanë humbur arsyen duke përdorur metoda të Dejona Mihalit e Vetëvendosjes.. E kom shok moti, nuk kom besu që merret me këto por sigurisht ka qenë i përgatitur nga ekipa e Lumirit për të më shantazhuar, unë jam delegat në Kuvend e më kanë thirrë akterë të ndryshëm të Lumirit që ta mbështes në këtë proces të fundit e më kanë dërguar lloj-lloj çështje për të më nxjerr kështu”, u shpreh Syla.
Syla, mes tjerash, u shpreh se edhe nëse në ndonjë formë i kushton ky audio-inqizim vazhdon të jetë kundër Abdixhikut.
Ndërsa, Shefi i asamblistëve të LDK-së në Prishtinë, Egzon Pacolli tha se nuk ka kompetenca të punësojë njerëz e edhe ky si Syla, pretendon se audio-incizimi është i montuar vetëm për t’i shantazhuar pas votës së tyre kundër Abdixhikut.
“Nuk e di çka ka rrjedhë në këtë audio-incizim, unë nuk e kam në kompetencë askënd për me punësu seni i pari, seni i dytë nuk bëjë premtime të Lumir Abdixhikut që ai zotnia u bën premtime të lloj-llojshme delegatëve – unë nuk jam Lumir me bo këso incizime. As nuk bëjë kërcënimet as delegatëve, as asamblistëve as nuk iu bëjë premtime, ky është grup që fatkeqësisht po më dhimen në çfarë gjendje kanë ardh. Ky incizim që paska dalë unë nuk jam i përfshirë fare, më ka thirrë ky djali, Gentriti, për një çështje krejt tjetër por për çfarë e ka përdorë grupi montues i Lumir Abdixhikut, unë nuk e di – këto janë metoda të Dejona Mihalit e Lëvizjes Vetëvendosje, edhe metodat e punësimit edhe të incizimit – unë nuk jam person që punësojë njerëz aty”, u shpreh Pacolli.


