Lajme

Beqiri: Konsumatori e bart barrën e manovrave të ZRrE-së

09/08/2025 12:59
nga:N K

Ekonomisti Lulzim Beqiri, në një intervistë për GazetaBlic, lidhur me paralajmërimin e ZRrE-së për ngritjen ose zbritjen e çmimit të energjisë elektrike nga dhjetori i këtij viti, në bazë të shqyrtimit të kostos së sistemit, tha se do të ketë rritje të çmimit, duke pasur parasysh konsumin që ka Kosova.

Paralajmërimi i tillë, sipas Beqirit, nuk mund të ndikojë në sjelljen e konsumatorëve për të kursyer energji.

“Jo për faktin se tradicionalisht konsumatorët kanë shpenzuar energji, që është edhe me pajisje me efikasitet që Qeveria i ka subvencionuar, por gjithashtu ka rritur koston e energjisë elektrike. Nuk do të ketë ulje të shpenzimeve. Nuk është një element i duhur për të detyruar konsumatorët të ulin konsumimin e energjisë elektrike,” – tha ai.

Sipas tij, rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë elektrike ka ndikuar në cilësinë e jetës së qytetarëve, duke e vështirësuar atë.

“Kemi paga të njëjta dhe kosto të energjisë elektrike, e cila i detyron konsumatorët të kursejnë dhe të blejnë produkte më të nevojshme. Kjo ka ndikuar edhe në aspektin e blerjeve, sigurisht edhe në koston e jetesës dhe mirëqenien e qytetarëve. Konsumatori e bart barrën e gjithë këtyre manovrave që i bën ZRrE-ja dhe institucionet e Republikës së Kosovës, të cilat po heshtin,” – shtoi ai.

Ai bëri thirrje ZRrE-së dhe institucioneve të Republikës së Kosovës që të mbajnë anën e qytetarëve dhe të mos lejojnë më ngritje të çmimeve.

“Këto ditë kemi një ngritje të vazhdueshme të inflacionit, ku secila hallkë po çon në vështirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Andaj, ZRrE-ja do të duhej që të paktën kësaj here të jetë në anën e qytetarëve dhe të mos veprojë sipas kërkesave të operatorëve,” – përfundoi Beqiri.