Sporti

Begolli: Kosova duhet të fokusohet tek pozita e dytë, pres ndeshje jashtëzakonisht të luftuar mes Shqipërisë dhe Serbisë

12/13/2024 15:13
nga:Mergim Rreci

Kosova i ka mësuar kundërshtarët e saj për kualifikueset e Kupës së Botës.

‘Dardanët’ do të përballen me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë, shkruan GazetaBlic Sport.

Trajneri i mirënjohur kosovar, Granit Begolli, ka komentuar mundësitë e ‘Dardanëve’ në këto kualifikuese, duke thënë se fokusi duhet të jetë pozita e dytë.

“Një grup shumë i vështirë, realisht shanset duhen parë vetëm për vendin e dytë sepse kemi një kombëtare si Zvicra që luan rregullisht në gara të mëdha dhe ka përvojë në këto lloj situatash.

Suedia ka një ndërrim të gjeneratës, me disa futbollistë shumë cilësorë dhe një kombëtare në rritje, mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, duke parë mënyrën se si luajnë, ndërsa me Slloveninë shanset janë të barabarta, duke parë kontigjentin që ka Sllovenia, unë mendoj se jemi aty-aty për nga cilësia”, tha fillimisht Begolli.

Tutje, trajneri kosovar komentoi edhe shortin nga grupi tjetër, atje ku Shqipëria do të përballet me Serbinë.

“Mendoj se në këtë ndeshje do të ketë një fokus të madh te siguria. Nuk besoj se situata do të përsëritet si në ndeshjen e fundit në Beograd, por mendoj se do të jetë jashtëzakonisht e luftuar në fushë, duke pasur parasysh rivalitetin e madh. Mendoj se përsa i përket interesit do të jetë ndeshja kryesore e grupit dhe mund të vendosë edhe në aspektin sportiv për kualifikimin“, përfundoi Begolli.

/GazetaBlic Sport/