Një aksident i rëndë trafiku është regjistruar në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, rreth orës 05:00, në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë, në fshatin Studime.
Lajmin për GazetaBlic e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili njoftoi se si pasojë e aksidentit një grua ka humbur jetën, ndërsa disa persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Sipas tij, në aksident janë përfshirë dy automjete. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit për të ofruar ndihmë dhe për të menaxhuar situatën.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat që çuan deri te ky aksident tragjik.


