Pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, analistët politikë vlerësuan se mesazhi i tij mund të ketë pasoja të rëndësishme për marrëveshjet politike dhe procesin e zgjedhjes së presidentit.
Dritëro Arifi theksoi se Kurti po përdor deklaratën e tij si një mesazh strategjik, duke vendosur kontroll mbi procesin e zgjedhjes së presidentit, por edhe të opozitës.
“Deklarimet e Kurtit tregojnë se nëse nuk ka konsensus për presidentin, mund të shkohet drejt zgjedhjeve të reja. Me këtë mesazh, ai ka dërguar dy porosi të qarta: e para, emërimin e presidentit e vendos vetëm ai. Kjo nënkupton se çdo kandidat, përfshirë zonjën Osmani apo këdo tjetër që aspiron të jetë president, duhet të jetë plotësisht nën udhëheqjen dhe strategjinë e Kurtit. E dyta, mesazhi shkon tek opozita: çdo kandidat që propozojnë duhet të qëndrojë në sallë dhe të angazhohet në proces. Përndryshe, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, ku rezultati është i parashikueshëm dhe në favor të Kurtit. Kjo tregon qartë se Kurti synon të ruajë ndikimin e tij mbi procesin politik dhe mbi partitë opozitare”, tha Arifi.
Ndërsa Jeton Halimi e interpreton deklaratën si një sinjal për rëndësinë e bashkëpunimit politik.
“Kurti duket se ka kuptuar se nuk mund të përdorë gjuhë ofenduese ose polarizuese për të imponuar vendime, por prapë duhet të sigurojë bashkëpunim me opozitën. Nëse nuk ka marrëveshje me LDK-në ose PDK-në, ai mund të sigurojë votat për president, por vetëm me marrëveshje të ndërsjellë. Ky opsion nuk është i mundur për znj. Vjosa Osmani, dhe kjo situatë mund të zgjasë më gjatë. Sipas Kushtetutës, presidentja ka të drejtën të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, ndërsa Kurti me 61 mandate ka siguruar këto poste, por jo votat e opozitës. Kjo thekson nevojën për një marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së për të shmangur zgjedhjet e reja, që do të dëmtonin qytetarët dhe buxhetin e vendit”, tha Halimi.
Halil Matoshi mori një qasje më kritike, duke e përshkruar deklaratën e Kurtit si pjesë të një strategjie për të rritur kontrollin politik.
“Kurti nuk synon vetëm bashkëpunim; ai kërkon nënshtrim politik. Strategjia e tij duket e qartë: shko në zgjedhje derisa opozita të dobësohet, për të vendosur një demokraci joliberale ose turmokraci, duke suspenduar në praktikë Kushtetutën dhe duke e zëvendësuar me axhendën e VV-së. Kjo përfshin kontroll mbi ekonominë dhe influencën mbi mendjet e qytetarëve. Ai mund të përdorë zgjedhjet si mjet presioni, duke ndjekur modelin e partisë-shtet si ai i Edi Ramës në Tiranë, për të krijuar një dominim politik të plotë”, tha Matoshi. /GazetaBlic/
Votat me postë: Numërimi drejt fundit, këto janë rezultatet me pak ndryshime


