Lajme

775 mësimdhënës të Vitisë s’marrin pagat, protestojnë para Qeverisë

10/04/2024 11:34
nga:Sh R

Punëtorët e Arsimit në Viti bashkë me përfaqësues të SBASHK-ut kanë nisur protestën e tyre para objektit të Qeverisë së Kosovës.

“Edhe Vitia është Kosovë”, “Duam pagat tona”, kanë qenë disa nga thirrjet e tyre, transmeton IndeksOnline.

Mbi 700 punëtorëve nuk u janë ekzekutuar pagat.

I pari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se arsyeshëm po kërkojnë hapa radikalë.

“I lutem që të presin pak. Janë shumë të revoltuar dhe java e ardhshme mund ta gjejë Vitinë në grevë. Veprime sindikale mund të ketë edhe në komuna të tjera. Punëtorët e arsimit e kanë zërin e tyre që i mbron. I kam dërguar ministrit Murati letër, le t’i zgjidhin çështjet institucionet, t’i procedojnë pagat”, ka thënë Jashari.

Ai ka uruar që ta ngre zërin në mënyrë që pagat të procedohen sot.

“Është mëkat se do të përballen edhe me kamata shtesë, i lus bankat që mos të veprojnë tani dhe të mos i ndëshkojnë sepse qeverisja i ndëshkoi. Kam frikë se do preken edhe komunat e tjera”, shtoi ai.

Edhe nga BSPK-ja janë shprehur të shqetësuar lidhur me mosekzekutimin e pagave për mësimdhenësit e Vitisë.

“Edhe njëherë në emër të BSPK-së kërkoj nga partneri social të bëjë ekzekutimin e pagave”,

“Nuk janë ekzekutu pagat, në komunë na kanë thënë se faji është te qeveria. Mësimdhënësit do të presin deri të hënën, do marrim masa të tjera. Shqetësimet janë të mëdha. Pjesa e tyre dërrmuese me obligime financiare, pastaj janë edhe një moshë e shtyrë”, ka thënë Kemajl Bislimi, kryetar i sindikatës se Komunës se Vitisë.