Lajme

Quni: Ushtria e Serbisë nuk ka kapacitete të mjaftueshme që të zhvillojë ndonjë sulm konvencial ushtarak në territorin e Kosovës

07/12/2024 15:31
nga:Sh R

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Anton Quni, thotë se deklaratat e fundit për luftë nuk janë diçka e re, pasi që këto probleme do të vazhdojnë deri sa të ketë një zgjidhje përfundimtare të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Quni në një intervistë për GazetaBlic, thotë se Serbia nuk ka kapacitete të mjaftueshme që të zhvillojë ndonjë agresion konvencial ushtarak në territorin e Kosovës, ku shton se Serbia është e ndikuar edhe nga shumë faktorë tjerë.

Tutje, ai thotë se është permanent rreziku që ka mundësi që të krijohen formacione paramilitare të cilat e kanë mbështetjen e institucioneve të Serbisë, dhe të bëjnë sulme brenda territorit të Kosovës siç ka qenë ai i Banjskës.

“Deklarimet e fundit nuk janë asgjë e re, këto janë probleme në vazhdimësi dhe ky rrezik është permanent deri sa të ketë ndonjë zgjidhje përfundimtare të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.Nëse flasim më shumë në atë gjuhën ushtarake për një luftë konvencionale me të vërtetë me ato kategorizime ushtarake mundësitë janë shumë të vogla, sepse për momentin ushtria e Serbisë nuk ka kapacitete të mjaftueshme personale dhe të tjera por është edhe e ndikuar nga shumë faktorë të tjerë që të zhvilloj ndonjë agresion konvencional ushtarak në territorin e Kosovës. Por kjo nuk i përjashton ndërhyrjet tjera që janë të karakterit paramilitarë, e për të cilën Serbia është e njohur që nga luftat në Kroaci, Bosnje e Hercegovine e po ashtu edhe në Kosovë. Është permanent rreziku që mund të krijohen formacione paramilitare të cilat e kanë mbështetjen e institucioneve të Serbisë dhe të bëjnë inkursione të ndryshme të karakterit ushtarak brenda territorit të Kosovës, në veçanti aty ku dominojnë komuniteti serb sic ka qenë rasti i Banjskës”, tha ai.

Ai potencon se Kosova së bashku me institucionet dhe në bashkëpunim me partnerët strategjik mundet me i menaxhu situatat e tilla.

“Kur flasim për këtë natyre të ndërhyrjee paramilitare unë besoj që Kosova së bashku me institucionet dhe organizatat e saj por gjithnjë në bashkëpunim me partnerët strategjik mundet me i menaxhu situatat e tilla në parandalim por edhe kur të ndodhim do të thotë që me i neutralizu sic ka ndodh edhe me rastin e Banjskës”, përfundoi Quni për GazetaBlic.