Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do t’i ftojë në takim sërish liderët e partive politike në vend, lidhur me bllokadën institucionale.
Ky do të jetë takimi i dytë i thirrur nga presidentja.
Megjithatë, një takim i thirrur nga Albin Kurti, kryeministër në detyrë, njëherësh kryetar i VV-së si partia e parë në zgjedhje, u mbajt të shtunën që lamë pas, por që nuk prodhoi asnjë rezultat.
Ndërsa, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese u ka dhënë afat prej 30 ditësh deputetëve që të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Por, çka pritet nga takimi dhe a do të arrihet që brenda këtij afati të konstituohet Kuvendi?
Lidhur me këtë, analisti politik Halil Matoshi, thotë për Gazeta Blic se nuk pret që konstituimi të ndodhë.
Sipas tij, Kurti nuk do që t’i përgjigjet votës së popullit.
“Jo, nuk pres konstituim sepse Kurti nuk po do me iu përgjigjë votës së popullit por një situate revolucionare, ku sfidon pushtetin sepse Kosova nuk ka mekanizma që mbrojnë rendin demokratik, e ish opozita e demonizueme nuk mund ta ndalë!?” është shprehur ai.
Ndërsa, sa i përket takimit te Osmani, ai ka thënë se ajo mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese por që Kurti nuk do ta njohë asnjë verdikt.
“Presidentja Osmani mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, porse organizata e Kurtit nuk do ta njohë asnjë verdikt. Ky është thjesht puç mbi institucionet e sistemit”, ka deklaruar Matoshi.
Ndërsa, juristi Blerim Burjani, ka thënë për Gazeta Blic se nëse nuk ka marrëveshje në mes të partive, gjendja mbetet kjo që shihet çdo 48 orë.
“Vullneti politik nuk mund të sanksionohet dhe se deputetët në ushtrimin e detyrës së tyre kanë imunitet, pra kjo varet ekskluzivisht nga vullneti i 120 deputetëve. Afati i Gjykatës është i paligjshëm dhe është krijues i normave të reja, afati në rregullore të Kuvendit është 48 orë, tash përkufizimi që 48 orëshi vlen 30 ditë sipas gjykatës është i kotë, kjo gjykatë nuk merret me krijim të normave dhe afateve të reja, kompetencat e saj janë të qarta, vetëm interpreton normat kushtetuese por jo edhe të rregulloreve, anashkalimi nuk mund të bëhet për shkak se në Kushtetutë nuk shkruan afati i konstituimit. Pra, nëse nuk ka marrëveshje në mes të partive, gjendja mbetet kjo që shihet çdo 48 orë”, ka theksuar ai.
Sa i përket takimit që pritet ta thërrasë presidentja, Burjani vlerëson se ajo duhet të konsultohet me Gjykatën Kushtetuese për të marrë masa tjera.
“Është roli i saj të angazhohet për konstituimin e Kuvendit për shkak se garanton funksionim normal dhe të pa kusht. Presidentja duhet të konsultohet me Gjykatën Kushtetuese për të marrë masa tjera, gjithmonë kushtetuese për themelim dhe funksionim të institucioneve”, ka deklaruar Blerim Burjani.
Ndryshe, nesër (1 korrik) do të jetë seanca e radhës, tentativa e 40-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës./Gazeta Blic/
Kriza në vend, Presidentja do t’i ftojë në takim liderët e partive politike


