Opinion

Sporti kërkon investime – Stadiumi nacional dëshmi e seriozitetit tonë

09/12/2023 15:50
nga:Ramiz Lladrovci

Shkruan: Ramiz Lladrovci

Deri sa i kemi ende të freskëta emocionet e jashtëzakonshme nga Prishtina dhe Tirana, të futbollistëve që unifikuan ndjenjat tona si rrallë herë më parë, me rezultate të cilat moti i kemi ëndërruar, duhet të mendojmë mirëfilli për sportin.

Sporti do investime serioze, për rezultate serioze. Republika e Kosovës si shteti më i ri në Evropë, nuk e kishte luksin për investime sa meritonte sporti gjatë viteve të fundit, për shkak të historisë. Kemi parasysh edhe plagët tona, të pagjeturit, varrezat masive dhe tërë logjistika për ta fuqizuar shtetin.

Rëndësia e Lojërave mesdhetare, është e madhe. Këto lojëra janë temë për të cilën vendimmarrësit pres ta fillojnë tash punën. Aktualisht, gjendja nuk është e mirë në objektet sportive dhe stadiumet ndihmëse.

Stadiumi nacional me fushat përcjellëse në Korroticë, Pishina gjysmë olimpike me terrenet ndihmëse në Komoran, janë dy kapituj që do të ishin tepër të domosdoshëm për lojërat që na presin si shtet organizator e mikpritës i Lojërave mesdhetare. Drenasi, duke u gjendur në mesin e Kosovës, me kushte ideale të transportit dhe qarkullimit, është komunë ideale për shumë sporte.

Në Komoran, me Hartën Zonale, hapësira prej 9 hektarëve (pronë e komunës) planifikohet të ketë pishinë gjysmë olimpike, terrene të sporteve të ndryshme dhe ka vend të mjaftueshëm për Stadium Olimpik. Stadiumi Nacional dhe Stadiumi Olimpik, do të ishin dy arena në shërbim të sportistëve të vendit dhe botës.

Vlera në transfermarkt e futbollistëve që luajnë aktualisht për kombëtaren e Kosovës, është gati njëqind milionë euro, kjo flet se Kosova ka yje në futboll. Këto yje meritojnë stadium siç ju ka hije. “Fadil Vokrri” po del se është i vogël për të gjithë sportdashësit.

Stadiumi i ri pritet t’i ketë dyfishin e spektatorëve dhe do të jetë arenë ku do të dëshmohet talenti, vullneti dhe përkushtimi i sportistëve për fitore dhe lartësimin e Kosovës në gara.

Nga impianti i ri nacional nga Korrotica dhe nga Komorani, presim të dëgjohet deri në qiell: O sa mirë me qenë shqiptarë o hej, o hej!

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Ramiz Lladrovci (@rlladrovci)